Presidenti amerikan, Donald Trump i ka kërkuar edhe homologut kinez, Shi Xhinping të hetojë Xho Bajdenin dhe të birin për afera të mundshme korruptive. Mediat amerikane kanë zbuluar këtë herë një përgjim të një telefonate që kreu i Shtëpisë së Badhë ka zhvilluar me udhëheqësin kinez më 18 qershor.
Sipas CNN, Trump i ka kërkuar Xhinping-ut të nxisë hetime për një investim prej miliona dollarësh, që Banka e Kinës me kapital shtetëror ka bërë në vitin 2013 tek fondi BHR Partners, ku 10% të aksioneve i zotëronte Hanter Bajden. Investimi është bërë menjëherë pas vizitës që Xho Bajden, në atë kohë zv/president i Shteteve të Bashkuara kishte bërë në Kinë. Dyshime ka se autoritetet kineze kishin pranuar të investonin në fondin e djalit të Xho Bajdenit, në këmbim të ndikimit të Uashingtonit për të ulur tensionet diplomatike të asaj kohe në rajon. Por, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze i hodhi poshtë këto informacione.
Ashtu, si edhe në rastin kur i kërkoi hetime për Bajdenin, presidentit të Ukrainës, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka përdorur një server komunikimi jashtë atij zyrtar. Demokratët që kanë nisur procedurat për hetim penal ndaj presidentit thonë se Trump ka shfrytëzuar postin, për të dëmtuar politikisht rivalin e mundshëm demokrat, Xho Bajden në presidencialet e 2020-ës.