Report Tv siguron videon kur Santiago Malko plagos vëllezërit Mumajesi

2019-10-02 4

TIRANË- Report Tv ka siguruar videon e plagosjes së vëllezërve Mumajesi në Tiranë, ku të dyshuar janë ish-efektivi i i policisë i vrarë, Santiago Malko dhe Rigers Mihasi, ose siç njihet me pseudonimin "Boli". Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 28 Qershor të 2018-tës, në të cilën mbetën të plagosur tre persona, vëllezërit Rivelino dhe Juxhin Mumajesi 36 dhe 24 vjeç dhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç.

Si ndodhi ngjarja më 28 qershor 2018
Dy grupe rivale janë përplasur mesnatën e së mërkurës në zonën e Kinostudios në Tiranë. Më shumë se 15 të shtëna kanë dëgjuar banorët e zonës, të cilat sipas informacioneve policore, kanë dalë nga disa pistoleta të ndryshme.Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur Rivelino Mumajesi, 36 vjeç, dhe Juxhin Mumajesi, 24 vjeç. I plagosur ka mbetur edhe Ibrahim Durollari, 28 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Traumës. Policia ka shoqëruar 23 persona, mes tyre edhe një të ri siç dallohet në pamjet e siguruara nga Report Tv. Konflikti ka nisur pranë këtij lokali dhe te makina BMV që shohim në pamje, e cila ishte në pronësi të Rivelino Mumajesit.

Banorët e zonës tregojnë për Report TV se kanë parë disa persona të shtrirë në tokë, ndërkohë që rruga ishte e mbuluar nga gjaku. Burime nga Policia e Tiranës i thanë Report Tv se dy persona me maska kanë qëlluar në drejtim të dy vëllezërve Mumajesi, të cilët kanë qenë shënjestër e këtij atentati. Këta të fundit i janë përgjigjur të shtënave. Gjithashtu burimet theksuan se shkak i përplasjes me armë është një çështje borxhi. Dyshohet se dy vëllezërit Juxhin dhe Rivelino Mumajesi i kanë pasur një shumë të konsiderueshme borxh disa personave të tjerë. Policia po heton edhe për pistën e prishjes së pazareve të drogës mes dy grupeve rivale.

Në mars të 2017-së Rivelino Muajesi është përfshirë në një tjetër përplasje me armë, por në atë kohë me Eduart Dukën. Policia e Tiranës bën me dije se ka arrestuar 29-vjeçarin Ervis Bano, pasi menjëherë pas përplasjes ka shkuar të fshehë pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin përplasjen me armë mes dy grupeve.