Basha leter bankave: Mos financoni PPP

2019-10-01 1

Ashtu siç kishte paralajmëruar, kreu i opozitës Lulzim Basha i është drejtuar me një letër të gjitha bankave që operojnë në vend që të mos financojnë asnjë projekt me Partneritet Publik Privat, pasi me ardhjen e demokratëve në pushtet do të anulohen.

Ne letrën që i është dërguar dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kryedemokrati thotë se përmes këtyre projekteve po pastrohen shuma të mëdha parash.

Këto para, sipas Bashës, kanë ardhur nga aktiviteti i paligjshëm i prodhimit të drogës dhe trafikimit të saj nga Shqipëria nëpërmjet aktiviteteve të liçensuara apo të kontrolluara nga sektori publik.

Ndaj, thotë ai, financimi i projekteve që kanë për qëllim pastrimin e parave të trafiqeve dhe korrupsionit, jo vetëm që nuk duhet të lejohen, por do të përbënte edhe kriminalizimin e atij personi apo institucioni që ka bashkëpunuar në këtë drejtim, vijon letra e Bashës.

Demokratet thonë se edhe me projektin e Teatrit Kombëtar po përdoret e njëjta skemë. Ndaj paralajmëruan arkitektin e tij dhe kompaninë që ka paraqitur ofertën për ndërtimin.

?Partia Demokratike do të ndjekë rrugën ligjore për të vënë para drejtësisë bashkëpunëtorin e Edi Ramës në veprën korruptive të grabitjes së tokës publike dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Tiranës, Bjarke Ingels. Bashkëpunëtorja tjetër në krim e Edi Ramës, kompania Fusha shpk, e cila ka përfituar 100 milionë euro tendera publikë 5 vitet e fundit, do të përballet me Ligjin e ri Antimafia.?

Selia blu akuzoi kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj se po mbajnë në fshehtësi të plotë kompanitë që kanë shfaqur interesin për projektin.

Tv Klan