Një person është arrestuar nga policia e kryeqytetit, gjashtë të tjerë janë në hetim në gjendje të lirë dhe dy persona janë shpallur në kërkim, pas sherrit të ndodhur pak minuta para nisjes së derbit Tirana-Partizani.
Policia e Shtetit konfirmoi se dy persona të tjerë gjatë natës kishin hapur tre gropa, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me mekanizëm me ndezje elektrike, në tribunën ku do të qëndronin tifozët e Partizanit.
Klubi i kuq, në një reagim në rrjete sociale, e dënoi këtë veprim, të cilin e quajti akt terrorist të mbetur në tentativë.
Nga ana tjetër, Klubi i Tiranës shkruan po në rrjete sociale se i është përmbajtur të gjitha masave paraprake për zhvillimin e këtij takimi në respekt të ligjit dhe rregulloreve të futbollit.
Teksa ligji do të veprojë mbi ata që ushtruan dhunë të gjitha episodet do të analizohen nga Komisioni i Disiplinës në Federatën e Futbollin. Edhe banderola e ekspozuar nga grupi i tifozëve ultras të Tiranës, Capital Crew do të merret në konsideratë.
Kjo grafikë me dy persona të varur njëri prej tyre me yllin e kuq në shpinë tregon se ky grupim, jo vetëm që është kundër komunizmit, por edhe se komunistët duhen varur.
Sipas ultrasve ajo është pjesë e koreografisë së tifozëve që tregon historinë, por kjo është kundër frymës sportive pasi është mesazh i qartë politik. Në rregulloret e futbollit europian dhe botëror, shfaqa e mesazheve politike në stadiume është e ndaluar.