Zbardhen lëvizjet e dy kontenierëve me kokainë
Ky është njëri nga dy kontenierët që u nisen nga porti i Guajkilit në Ekuador, brenda të cilëve ishte fshehur sasia prej 137 kg kokainë, me destinacion final Shqipërinë.
Referuar kompanive që monitorojnë itinerarin e mallrave për qëllime tregtare me anë të kontenierëve, ngarkesa është nisur nga porti i Guajakil më 24 Korrik.
Më 19 Gusht, përmes rrugës detare, ngarkesa ka mbërritur në portin e Pireut në Greqi.
Autoritetet greke në bashkëpunim me zyrën e DEA-s amerikane në Athinë, kanë gjetur të fshehur në motorët frigoriferikë të kontenierëve pakot me drogë.
Menjëherë janë njoftuar autoritetet shqiptare, që dërguan disa zyrtarë të Antidrogës në Greqi. Në prani të tyre u bë edhe zëvendësimi i drogës me miell dhe oriz, si dhe u vunë pajisje GPS dhe pajisje përgjimi në disa pako.
Një muaj më vonë, më 14 Shtator, kontenierët u nisën drejt Portit të Durrësit, ku dhe mbërritën më 17 Shtator.
Prej kësaj datë, ata u mbajtën nën vëzhgim nga policia, deri në momentin që punonjësi i sigurisë së portit, Ardian Bega, hapi një prej tyre duke marrë disa pako, që besonte se ishin me kokainë.
Ai ishte me bashkëpunëtorin e tij Altin Myslimhaka, punonjës i një anije peshkimi dhe me Gentian Malindin, pronari i të njëjtës anije, i cili besohet se ishte njeri nga porositësit e mallit.
Policia e ndoqi drogën e ngarkuar në një makinë me targa franceze, deri kur Gentian Malindi zbuloi në rrugën dytësore Plepa-Golem se pakot nuk kishin drogë, por oriz. Ai u kërkoi dy të tjerëve t?i hidhnin ato, e të mos flisnin, pasi dyshonte se malli kishte përgjues. Kur ndërhyri policia, ai arriti të largohej, ndërsa dy të tjerët u arrestuan.
Hetimet për këtë rast të trafikut ndërkombëtar po ndiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila i ka shtrirë veprimet e saj edhe tek drejtues e punonjës të Portit të Durrësit.
Ata janë nën verifikim, me dyshimin se kanë lejuar hyrjen në port të personave të pa autorizuar, por nuk përjashtohen edhe hetimet për bashkëpunim.
Tv Klan