TIRANË- Në krah të Bashkisë së Tiranës, për të ndihmuar familjet e prekura nga pasojat e tërmetit që preku kryeqytetin një javë më parë, kanë dalë edhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë. Ndër të parat që po jep ndihmën e saj është Ambasada e Kuvajtit, e cila ka sjellë ndihma elektro-shtëpiake, ushqime e veshje për familjet e prekura nga tërmeti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al-Jassim, morën pjesë në shpërndarjen e ndihmave të para për banorët.
Duke theksuar se kjo sfidë përballohet më mirë kur në krah ke miq donatorë, kryebashkiaku Veliaj shtoi se përpos ndihmave për nevojat bazë, Ambasada e Kuvajtit ka ofruar ndihmë edhe për rindërtimin e shtëpive.
?Kemi sot tre trailerat e parë; një përgjigje e menjëhershme e Ambasadës së Kuvajtit, popullit kuvajtjan, qeverisë kuvajtiane. Na kanë sjellë nevojat bazë të emergjencës si batanije dhe ushqime, teksa jemi duke ndërtuar shtëpitë e dëmtuara. Ambasada e Kuvajtit na ka ndihmuar edhe për pjesën pas ndërtimit të shtëpive, pra përveç se do ndërtojmë disa shtëpi bashkë, kemi marrë edhe elektro-shtëpiaket, lavatriçe, frigoriferë, shumë pajisje, që disa prej këtyre familjeve, që janë me ndihmë ekonomike, as nuk i kanë pasur ndonjëherë, me shtëpi të ndërtuara në vitet ?50-?60 me mjete rrethanore, me gurë, baltë, kashtë e kallamishte?, tha Veliaj.