Report TV EKSKLUZIVE/ Historia frymëzuese! Motra i dhuron veshkën motrës së vogël

2019-09-23 1

TIRANË - Megi dhe Oriada nuk janë si gjithë motrat e tjera. Kanë dhënë provën më të madhe të dashurisë, të historisë frymëzuese, të një gjesti që shpëton jetë: Të një mrekullie! Megi Kola, më e vogla, pas 27 vitesh nga lindja, më në fund i është kthyer jetës normale, dhe kjo falë motrës së saj të madhe, Oriadës: Ajo i dhuroi veshkën.

Të dyja motrat, krah njëra-tjetrës rrëfyen historinë e tyre sa të dhimbshme aq dhe motivuese, në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv, me moderatorët Alban Musa dhe Suada Daci.Që në moshë të vogël Megi u diagnostifikua me një problem të lindur në veshka, që e bëri të privohet nga jeta normale që një fëmijë mund të kishte...Deri sa mbeti edhe pa arsim. Që në moshën 9-vjeçare, Megi, sot 27 vjeçe, ju nënshtrua operacionit të saj të parë, ku hoqi një pjesë të veshkës, pasuar me një tjetër operacion në moshën 19-vjeçare, nga i cili mbeti me një veshkë, edhe ajo e dëmtuar. Një kalvar vuajtjesh që mori fund për familjen Kola, kur motra e madhe, Oriada, 30-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, i dhuroi veshkën motrës së saj. Ishte transplanti i një muaji më parë që i dha mundësinë Megit të rinisë jetën nga e para. Ajo ka dëshirë të studiojë, të bëhet arkitekte, të shijojë historinë e dashurisë së saj, dhe të jetojë e lumtur krah familjes, për të cilën nuk gjen fjalë t'i shprehë falenderimet për mbështetjen që i kanë dhënë.  Ndihmën më të madhe ja dha edhe shteti shqiptar, pasi me gjetjen e dhuruesit, motrës së saj, u sigurua i gjithë fondi për të bërë transplantin falas, i cili për fat, rezultoi me sukses.

"Fëmijëria ka qenë shumë e vështirë, por me kurajë dhe me çdo gjë kaloi. Kaloi pas 27 vitesh, por prapë me mbështetjen e familjes kam qenë super, i kam kaluar vështirësitë", thotë Megi, e cila asnjëherë nuk është dorëzuar përballë vështirësive dhe i ka kaluar me buzëqeshje.

"Shokë e shoqe kam plot, jam tip që i afroj të gjithë njerëzit, kur isha e vogël...largoheshin. Kur isha në spital ne 6-katëshi më rastis një djalë dhe dilte në ballkon, E pyes dhe më thotë kam një problem të vogël në kanal të urinës dhe i them për atë ke rënë në depresion? I thashë unë jam me një veshkë dhe...i thash ej mos u mërzit", thotë Megi.

Veç Oriadës, Megi ka edhe një motër tjetër, Ornelën. Të dyja motrat e saj, e kanë lënë shkollën dhe pas 8-vjeçares nuk e kanë nisur më gjimnazin. Ato kanë menduar t ëpunojnë, në mënyrë që të siguronin të ardhura për familjen dhe për të përballuar sëmundjen e Megit.

Free Traffic Exchange