Zv/ ministri i Mbrojtjes Petro Koçi në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se jemi në gjendje emergjence nga tërmeti, teksa lëkundjet vijojnë. Ai tha se institucionet janë në gatishmëri të plotë.
"Faleminderit që informoni vazhdimisht për situatën. Për momentin jemi në një situatë emergjence, e rëndësishme është të mos ketë humbje jetësh njerëzore dhe të menaxhohet me një infrastrukturë që të garantojë strehim për ata që banesat u janë bërë të pa banueshme. Kemi reaguar para se të vinte informacioni që të maste amplitudat e tërmeteve, pasi ishte ndjesia njerëzore që ishte tërmet i lartë. Kemi vendosur qendrën e bashkuar operacionale dhe shërbimin për marrjen e informacionit për pasojat e tërmetit dhe pastaj me zhvillimet e mëtejshme.
Është normale që njerëzit të mos e kalojnë natën në banesat e tyre jo vetëm për frikë, por edhe siguri. Nëse ka dyshime për sigurinë e banesës është ë këshillueshme që të mos kalohet nata aty. Strukturat më të lehta, duke filluar nga çadra janë më të sigurta. Zonat sa më afër epiqendrës së tërmetit janë më të rrezikuara, zona e Durrës dhe Tiranës, Tiranës si prefekturë, janë më të prekura. Në fillim të trajtohen rastet e emergjencës dhe ata që janë lënduar, ndoshta jo drejtpërdrejt nga tërmeti, por nga çoroditja.