Nëse njerëzit me zemër të madhe bëhen bashkë, shumë fëmijë nuk do të kishin lot në sy. I tillë është edhe rasti i Seldi Avdo, 13-vjeçarit nga fshati Çiflik i Bashkisë së Urës Vajgurore, i cili këtë 16 shtator nuk kishte mundësinë të ishte në ditën e parë të shkollës. Por falë humanizmit të disa emigrantëve shqiptarë, Seldi tashmë ka mundësi të shkojë në shkollë, në klasën e shtatë.
Me paratë e mbledhura nga dy emigrantë, Margiglen Canka nga Holanda dhe Mustafe Beliu nga Kosova por që jeton në Gjermani, prindërit e Seldit kanë mundësi të blejnë veshmbathje dhe mjetet shkollore. Kjo ndihmë erdhi pas transmetimit të historisë së Seldit në Report Tv dhe emisionin 'Pa Gjurmë'. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkisë së Urës Vajgurore kanë mundësuar që djali të marrë librat falas.