Report TV - 'Zbutet' Meta: Partitë politike t'i kërkojnë BE-së 'PO-në' e negociatave

2019-09-16 0

Në një prononcim për mediat pasi mori pjesë në ceremoninë e 77-vjetorit të Konferencës së Pezës, Presidenti Ilir Meta u shpreh edhe më qartë me mesazhin e tij ndaj forcave politike kundërshtare në vend dhe ndarjes së përgjegjësive dhe detyrave konkrete në mënyrë që Shqipëria të mund të marrë PO-në për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndryshe nga skepticizmi se më 18 tetor vendi ynë nuk do mundet t'ia dalë në këtë rrugëtim drejt BE-së, sot nga Peza, ku u shfaq krap përfaqësuesve të lartë të mazhorancës, Meta tha se politika duhet të bëhet bashkë për interesin kombëtar dhe t'i kërkojë BE-së t'i thotë PO hapjes së negociatave. Po ashtu Meta tha se nëse vendosen kushtet për çeljen e negociatave, BE duhet të jetë e qartë ndaj aktorëve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që sipas tij të jetë e qartë se kush është pengesa për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

"Peza është një amanet për të ardhmen e atyre që e bënë. Qëllimi ynë sot i përbashkët, interesi ynë kombëtar është anëtarësimi i Shqiëprisë në BE. Një proces që antagonizmi politik e ka vonuar shumë. Kam dhënë shumë mesazhe dhe sjellja ime si president ka qenë funksion të realizimit të këtij interesi kombëtar më 18 tetor kur do të merret një vendim për Shqipërinë. Kërkesa ime për të gjithë aktorët dhe forcat politike është t'i kërkojnë BE, pavarësisht nga problemet e deritanishme, t'i thotë një po çeljes së negociatave dhe nëse do të ketë kushte për çeljen e tyre, duhet të vendosin kusht për çdo institucion dhe cdo aktorë, përfshirë edhe presidentin e republikës në mënyrë që të gjithë të jenë të qartë se kush do të jetë një pengesë në të ardhmen për të vonuar këtë proces, këtë qëllim mbarëkombëtar që na fton për bashkëpunim se i tillë është mesazhi që vjen nga Peza", tha Meta.