TIRANË - Një ndër prioritet e Bashkisë së Tiranës është shmangia e mësimit në klasa kolektive, një fenomen që gjen ende zbatim në disa fshatra të kryeqytetit. Fëmijë që në një klasë bëjnë mësim së bashku edhe pse janë në klasa të ndryshme, nga e para në të nëntën, kjo për efekt se nuk ka shumë fëmijë. Në një intervistë për Report Tv, me gazetaren Doris Sallaku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky fenomen do të zhduket pasi Bashkia do të sigurojë transportin falas për fëmijët e fshatrave në mënyrë që të shkojnë të mësojnë në klasat respektive në qendër.
"Ka shkolla kolektive ku në një klasë bëjnë mësim të gjitha grupet. Do të bëjmë transportin falas në vendet periferike për të shmangur shkollën e fshatit me klasa kolektive. Disa mini shkolla fshati do t'i bëjmë në shkolla në qendër, këtë do të bëjmë këtë vit, do të bëjmë shkolla të mëdha dhe transport flas për fëmijët", tha kryebashkiaku.
Veliaj e quajti një nga fillimet e shkollës më normale, për shkak të shmangies që ju bë edhe trafikut rrugor. Falenderimin nuk e pati vetëm për efektivët e policisë të bashkisë dhe atyre rrugorë, por edhe për prindërit që i morën fëmijët përdore duke shmangur makinat.
"Kemi pasur një nga fillimet e shkollës më normal. Nëse shtatori identifikohej si fillim i trafikut ky ka qenë një fillimi mbarë. Falenderoj efektivët e policisë në Tiranë për menaxhimin e trafikut, për shoqërimin e fëmijëve për të kaluar në vijat e bardha, do të vazhdojmë me këtë traditë. Kur ne shqiptarët e ndajmë të mos bëhet histeri dhe gurgule shkon çdo gjë fjollë. Një falenderim për prindërit që i morën fëmijët në këmbë përdore, me biçikletë dhe shmangën trafikun, do i sugjeroja ta bëjnë gjithmonë. Shembulli i sotëm është një etalon i ri që kemi vendosur", tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.