Derisa librat shkollorë të jepen falas për ciklin 9-vjeçar, nxënësit shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se në vendet e rajonit edhe mjetet shkollore.
"Shqipëria mbetet vendi me kosto më të lartë për arsimin bazë në rajon. Shpenzimet për librat shkollorë të klasës së 6 deri në gjimnaz, variojnë nga 5 mijë lekë të reja, deri në 11 mijë lekë të reja".
Ne blemë librat e klasës së 7-të, të cilat na kushtuan 5200 lekë.
Sa u takon librave, në Kosovë ata jepen falas nga klasa e parë deri në të 7-të. Madje në kopertinën e tyre nuk ka asnjë çmim.
"Në Kosovë të gjitha librat janë falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të 7, ndërsa artikujt e tjerë shkollorë për një vit, kushtojnë nga 20 deri në 30 euro".Prej vitit 2008, edhe në Maqedoninë e Veriut librat jepen falas nga klasa e parë deri në gjimnaz. Edhe këtu tekstet shkollorë nuk kanë të afishuar çmimet përkatëse.
"Në republikën e Maqedonisë së Veriut, konform ligjit për tekstet shkollore, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, i cili është miratuar në 25 Korrik 2008, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i siguron tekstet shkollore për nxënësit. Mirëpo pas përfundimit të vitit shkollor, nxënësit janë të obliguar që t'i kthejnë këto libra të padëmtuar, në të kundërt ata ballafaqohen me dënime. Mirëpo sa kushton një komplet, pikërisht për nxënësit e klasave të 6 dhe të 7, nuk mund të dihet, për shkak se në përfundim të librit nuk ka ndonjë çmim, por është e shënuar vetëm shtëpia botuese dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës".
Në vendin tonë, sipas INSTAT librat dhe pajisjet shkollore janë bërë më të shtrenjtë, pasi indeksi i tyre ka pësuar rritje me 7.6% në muajin Gusht të këtij viti. Referuar të dhënave të INSTAT, çmimet ishin 11% më të larta për artikujt shkollorë, krahasuar me 2018.