Një 47-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe kryente manovra të rrezikshme. Shoferi me iniciale A.H. u raportua nga qytetarët pasi rrezikonte jetën e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve të tjera. Në aksin nga Mjull Bathore drejt autostradës së Unazës së Madhe, ai u ndalua nga forcat policore. 47-vjeçari tentoi t'i largohej uniformave blu dhe goditi makinën e policisë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Tentativa e tij për t'u larguar dështoi, pasi u neutralizua nga uniformat blu. Gjatë testit të alkoolit, shoferi rezultoi në gjendje të dehur në masën 1.31 mg/l. Ai u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Tiranës.