TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat ndaj parlamentit, i cili rrëzoi dje dekretet e kthyera mbrapsht nga presidenti Ilir Meta për kontratat për rrugët Orikum-Dukat dhe Milot-Balldrem. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, ish-deputetja Jorida Tabaku deklaroi se kjo është një provë që qeveria autoritare mbahet në këmbë nga oligarkët. Tabaku tha se votimi i djeshëm i këtyre ligjeve nuk është vetëm krim ndaj buxhetit të shtetit por vrasja me borxh të panevojshëm të fëmijëve tanë.
"Votimi i djeshëm për dy ligje që i japin praktikisht 366 mln euro Agim dhe Ndue Kolës (ANK) si dhe Lorenc Gjikurisë, për projekte të pastudiuara dhe të fryra, nuk është vetëm një krim ndaj buxhetit, në të vërtetë vendimi i djeshëm është vrasja me borxh të panevojshëm i fëmijëve tanë.Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë treguan dje se janë thjeshtë kukulla. Përndryshe ata nuk do të kishin votuar për të rrëzuar një dekret presidencial që shmangte jo ndërtimin e një rruge me rëndësi, por abuzimin me taksat e shqiptarëve", u shpreh Tabaku.