Report TV - Drejtësia e re/ Si do shpërblehen prokurorët e SPAK-ut që godasin zyrtarët e lartë

2019-09-06 1

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare. Kështu parashikon ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut. Në një kohë kur përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar përmes 7 mesazheve se pushtetarët e korruptuar dhe bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti. Ndërkaq rregullorja e miratuar nga KLP, e cila shërben si standard, parashikon hetimi i çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion. Sipas rregullores së KLP, ?çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte? konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik, të cilat kanë një numër të madh të pandehurish ose një numër të madh veprash penale, që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha etj.