Report TV -Debati për Pjetrin, Balla: Ditmir Bushati e propozoi për kryetar bashkie,

2019-09-04 2

TIRANE-Teksa ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati kërkon që PS të kërkojë falje për rastin e Valdrin Pjetrit, kreu i grupit Parlamentar të kësaj partie Taulant Balla thotë se është pikërisht Bushati propozuesi i kandidaturës së Pjetrit për Bashkinë e Shkodrës. Në një intervistë për Report tv, Balla thotë se PS i ka kërkuar tashmë falje popullit të Shkodrës.

"Ish-ministri Bushati është pjesë e Kryesisë së PS-së dhe në cilësinë e të deleguarit politik ka qenë propozuesi i kandidaturës në kryesi. Bashkë, unë si sekretar i përgjithshëm, ai, kryetari i partisë, kryesia e partisë, falje i kanë kërkuar popullit të Shkodrës që nuk mund të fillojmë punën menjëherë prej 21 gushtit për të ndryshuar qeverisjen vendore të Shkodrës" tha ai.Deklaratës së Metës për kthimin në Parlament, Balla e ka quajtur një detyrim ndaj ligjit dhe Kushtetutës.

"Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit përcaktojnë domosdoshmërinë e së drejtës së personit në hetim për t'u dëgjuar nga komisioni hetimor dhe detyrimi dhe ushtrimi i kësaj të drejte për mua nuk përbën lajm, thjesht secili duhet të respektojë ligjin" tha ai.

Edhe pse presidenti dhe opozita jo parlamentare njohin datë të vetme zgjedhjes 13 tetorin, PS është e vendosur për të zhvilluar zgjedhje të pjesshme, madje sipas Ballës me një kandidat shumë të mirë.

"Mezi presim procesin e ri zgjedhor në Shkodër me një kandidat shumë të mirë me qëllim që të marrim përgjegjësinë e rëndësishme të qeverisjes vendore të Shkodrës" përfundoi ai.

PS ka vendosur ristrukturimin total të degës së kësaj partie por nuk i është dhënë ende një zgjidhje konkrete ngërcit të cështjes së Valdrin Pjetrit.