TIRANË- Ditën e sotme ka rinisur procesi i vettingut në fushën e drejtësisë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë sot në shqyrtim figurën e gjyqtarit të Gjykatës Administrative në Korçë, Sokol Ibi.
Janë hetuar disa shuma parash të depozituara nga prindërit e Ibit. Komisioni i ka kaluar barrën e provës subjektit për pamundësitë financiare të prindërve për blerjen e makinës dhe krijimin e depozitave.
Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se në lidhje me kriterin e figurës, DSIK, ka dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është u përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe nga hetimi i KPK, nuk kanë rezultuar lidhje të gjyqtarit me persona të papërshtatshëm.
Në lidhje me aftësitë profesionale, rezulton se ka 9 ankesa në Inspektoratin e KLD, 2 nga të cilat janë gjetur të mbështetura. Më tej, KPK ka konstatuar se subjekti ka logjikë në zbatimin e ligjit. Në disa raste, për subjektin janë konstatuar se ka pasur zgjatje tej afateve të disa proceseve civile.
Në seancën e sotme janë analizuar 8 denoncime të ardhura nga qytetarët pranë KPK dhe ONM. Një ndër këta denoncime është anonim. Komisioni i ka kërkuar shpjegime gjyqtarit për të gjitha këto denoncime, shpjegimet do të merren parasysh në marrjen e vendimit. Vendimi për Ibin do jepet në datën 6 shtator.