Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se nëse nuk do të dekretonte anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, përplasja mes kampeve do të ishte e pashmangshme. Në një intervistë për të përditshmen italiane Il Giornale, Meta thotë se zgjedhjet e zhvilluara pa opozitën ishin jo ligjore.
?Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet më 13 Tetor, një datë jo e rastësishme, sepse më 18 Tetor do të vendoset nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ishte e pashmangshme një përplasje mes dy kampeve politike. Zgjedhjet e Qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kundërshtojë dekretin e Presidentit. Është për të ardhur keq që deri më sot veprimtaria e gjykatës është pezulluar me vullnetin e Ramës?.
Duke folur për publikimet e gazetës gjermane Bild, Meta thotë se është e papranueshme mungesa e një hetimi të thelluar për këtë çështje.
?Është e papranueshme që vitet e fundit nuk është bërë asnjë hetim i thelluar për këto ngjarje. Është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta është zgjidhja kryesore për krizën aktuale?.
I pyetur për qëndrimet e forta ndaj fondacionit të George Soros, Presidenti shqiptar thotë se duhen mbrojtur interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Kreu i shtetit shqiptar thotë se anëtarësimi në BE është i nevojshëm, edhe sepse progresi i deritanishëm nuk është inkurajues.
Tv Klan