Arbëreshët e Italisë do të kenë një vend të veçantë në aktivitetet që do të organizohen nga Bashkia e Tiranës me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Për këtë qëllim, Tirana dhe komunat arbëreshe në Itali do të hartojnë një kalendar të caktuar aktivitetesh, me synim nxitjen dhe ruajtjen e historisë dhe traditave shqiptare.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim nënkryetarin me origjinë shqiptare të Këshillit të Komunës së Potencës, Antonio Vigilante, me të cilin diskutoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve, por edhe për të nxitur një marrëdhënie më intensive mes shqiptarëve të komunave të Bazilikatës. Veliaj i shprehu atij mirëseardhjen në vendin e të parëve të tij dhe theksoi nevojën për të bashkëpunuar për një axhendë të përbashkët aktivitetesh, me rastin e festimeve për 100 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.