Report TV - PD: Kajmaku vodhi me fidanë 2.6 mln euro nga paratë publike /Ja tenderat abuzivë

2019-08-28 0

Pas publikimit të dokumentave nga ana e Partisë Demokratike që Agim Kajmaku kandidati për kryetar i Bashkisë Vorë është Jorgo Toto, person me precedentë penalë në Greqi, Albana Vokshi ka publikuar tenderat abuzive të tij.

Sipas saj , kryeministri dhe Kajmaku bashkëpunojnë për të vjedhur popullin, ku Erion Veliaj i ka dhënë Jorgo Totos rreth 440 mijë euro dhe Vangjush Dako rreth 580 mijë euro. Vokshi thekson se Kajmaku ka një biznes me të cilin pastron paratë dhe bashkëpunon me shtetin. "Krimineli në kërkim në Greqi, me kompaninë e fidanëve "Kajmaku shpk" ka marrë nga pushteti i Edi Ramës rreth 2.6 milionë euro para publike, të marrë me tendera duke qenë i vetëm në garë."  Sipas saj, në 2 muaj para votimeve, Edi Rama e ka paguar Kajmakun me rreth 230 mijë euro nga fondet e buxhetit të shtetit, ku  2.6 milionë euro që ka marrë nga fondet publike. Në tenderat që Vokshi ka publikuar është arredimi i Zyrave të Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe Mirembajtja e Gjelbërimit të Zyrave të OSHEE, ku ai është i vetëm në garë. Vokshi gjithashtu thotë se Kajmaku është paguar me rreth 400 mijë euro për të gjelbëruar rrethrrotullimin e Shkozës dhe rrugën e Surrelit, që të çon në banesën e kryeministrit, të cilin e krahason me Luigjin e XIV. "Në këtë rrugë, mund të shohësh vetë më sy se aty nuk janë hedhur as 14 mijë euro e jo më 400 mijë euro gjelbërim. Sipas denoncimeve të medias, Jorgo Toto është shpërblyer me këtë tender për punën private që ka bërë në vilën e Surrelit të Edi Ramës për ta mbjellë me ullinj dhe pemë të tjera. ", thekson Vokshi.