Tvklan.al ka siguruar pamje nga fshati Ferraj në periferi të Tiranës, aty ku u gjet e djegur makina e vrasësve të dyshuar të ish-policit Santjago Malko. Gazetari i Tv Klan, Spartak Koka, ka dërguar nga vendngjarja pamje ekskluzive të kodrës së fshatit ku vrasësit braktisën mjetin dhe më pas i vunë zjarrin.
Nga burime policore mësohet se ka qenë pikërisht një ish-efektiv policie, banor i fshatit Ferraj, që njoftoi patrullën për automjetin e braktisur. Sipas njoftimit të tij, banorët e fshatit dëgjuan një shpërthim në kodër dhe më pas vunë re flakë dhe tym.
Gazetari Spartak Koka që shkoi në vendngjarje, thotë se zona ku autorët e vrasjes braktisën makinën tip "Mercedes-Benz", është një terren i vështirë dhe me rrugë të pa asfaltuar.
Në vendngjarje ka shkuar dhe grupi hetimor që po bën të mundur mbledhjen e provave. Burimet thanë për tvklan.al se dyshohet që brenda mjetit të djegur të jetë gjetur edhe një armë zjarri, që mendohet se është përdorur në vrasjen e ish-policit Santjago Malko. Forcat policore kanë rrethuar zonën në kodrën e fshatit Ferraj, por për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë malor, momentalisht e kanë të pamundur identifikimin e autorëve.
Santjago Malko u qëllua me armë nga një makinë në lëvizje rreth orës 22:20 në rrugën "Xhanfize Keko" në zonën e Porcelanit në kryeqytet. Ai u gjet i vdekur brenda automjetit të tij tip "BMW X5", kurse atentatorët u arratisën në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe u gjet makina e djegur.