Tre ditë pas shpërthimit të një depozite me 5 mijë litra gaz ku mbetën të plagosur 7 persona mes tyre edhe dy fëmijë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka shkuar në pikën e karburantit përgjatë aksit rrugor Lezhë-Milot ku inspektorët kanë bërë të mundur rrethimin me shirit dhe bllokimin e kësaj pike për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë.
ISHTI në një prononcim për Report TV ka deklaruar se në këtë karburant është bërë një kontroll para 4 muajsh, por nuk është gjetur asnjë parregullsi.Në reagimin e tyre lidhur me këtë ngjarje, ISHTI deklaroi se zjarri ka rënë në një depozitë me 5 mijë litra kapacitet depozitues dhe se 30 minuta pas ngjarjes është ngritur një grup pune për të verifikuar shkaqet. Ndërsa ditën e sotme ISHTI bëri edhe bllokimin e pikës së karburantit pasi sipas tyre nuk ka patur kushtet e nevojshme të sigurisë.
Në lidhje me këtë shpërthim ka reaguar edhe zv.kryeministri Erion Braçe i cili ka thënë se inspektorët që kanë bërë kontrolle dhe që do të bëjnë do të mbajnë përgjegjësi.