TIRANE - Zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka deklaruar se ka dërguar para drejtësisë dosjet e tre gjyqtarëve të cilët sipas tij kanë dhënë vendime në kundërshtim me ligjin. Braçe u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve të hetojnë me kujdes veprimtarinë e këtyre tre gjyqtarëve.
"I jam drejtuar me dosje të posaçme ministres së Drejtësisë, KLGJ-së dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pa diskutim autoriteteve të vettingut, KPK-së, për tre gjyqtarë; Për një prej gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Tiranës, për një çështje që ai ka marrë në shqyrtim e që ka vendosur në gjykimin tonë në kundërshtim të hapur me ligjin; Për një gjykatës së rrethit gjyqësor Vlorë, i cili ka vendosur për tre çështje brenda 1 minute dhe natyrisht, jashtë kompetencës së tij lëndore totalisht dhe në fund fare, edhe për një gjykatës të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, i cili, siç edhe jeni në dijeni të këtij fakti, ka liruar nga bllokimi gati 7 ton ushqime të bllokuara nga AKU-ja për shkak se ishin jashtë afatit të skadencës jo me ditë, por me muaj të tërë, për të mos thënë, një pjesë e tyre edhe me vite. Për secilin nga këta gjyqtarë, për secilin nga këto çështje i kam kërkuar KPK-së, organeve të vettingut, por dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, KLGJ-së të ketë në vëmendje veprimtarinë e secilit prej këtyre gjyqtarëve, me qëllim që në momentin që secili prej tyre do paraqitet pranë këtyre organeve, këto çështje të jenë atje e të jenë pjesë e diskutimit prej tyre", - ka thënë Braçe.