Çështja Kajmaku/ Prokuroria e Përgjithshme i kërkon PD-së materialet për 'Jorgo Toton'

2019-08-27 0

TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Partisë Demokratike t'i vë në dispozicion të gjitha materialet që ajo ka për Agim Kajmakun, kryetarin e Bashkisë së Vorës që PD e akuzon se është arrestuar në 2003-shin nga autoritetet greke për falsifikim parash dhe i është shmangur drejtësisë në gjithë këto vite duke ndryshuar emrin.

Është pikërisht Njësia e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, që i ka bërë kërkesën Partisë Demokratike, pasi dje, sekretari Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi publikoi dokumentet e prokurorisë dhe gjykatës së Janinës që sipas tyre tregonin të gjithë historikun e shmangies nga drejtësia që ka bërë Kajmaku, përmes emrit grek që sipas PD-së mbante në ato vite, Jorgo Toto. Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi letërporosi autoriteteve greke për dosjen e Jorgo Totos, dhe nëse ai është i njëjti person me kryebashkiakun e Vorës, i cili duhet theksuar se më herët kur ka emigruar në Greqi në vitet 2000, e ka ndërruar emrin në Jorgo Toto.

Vetë kryebashkiaku i ka mohuar të gjitha akuzat dhe që të jetë ai Jorgo Toto që akuzohet nga autoritetet greke për krimin e rëndë të falsifikimit të parave, por çka që do të hedhë dritë mbi gjithë këtë histori akuzash e kundërakuzash, janë shenjat e gishtërinjve. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar të bëjë krahasim mes shenjave të gishtërinjve të Jorgo Totos në Greqi me ato të Agim Kajmakut, të cilit i ka kërkuar t'i dorëzojë në Policinë Shkencore.

Agim Kajmaku nuk ka shkruar në formularin e vetëdeklarimit që të ketë qenë ndonjëherë i hetuar, gjykuar, apo arrestuar. Nëse kjo del të jetë gënjeshtër, Kajmaku rrezikon të preket edhe nga ligji i dekriminalizimit.