Ndërron jetë 26-vjeçari, u qëllua për kondicionerin

2019-08-23 0

26-vjeçari Indrit Çelaj që u plagos me plumb në kokë paraditen e të enjtes, nuk ka mundur të mbijetojë. Ai ka ndërruar jetë këtë të premte në Spitalin e Traumës ku qëndronte në gjendje kome.

Policia ka njoftuar se ka zbardhur këtë ngarje të rëndë që motiv ka një sherr banal mes viktimës, i cili punonte si teknik kondicioneri në vilën e dy vëllezërve Griseldo dhe Albano Kusi. Të dy këta të fundit dyshohet se kanë qëlluar mbi të riun pasi kanë patur pakënaqësi për mënyrën e kondicionimit të vilës, kati i parë i së cilës do të bëhej lokal.

Në debat e sipër, ata e kanë qëlluar 26-vjeçarin me plumb në kokë e më pas janë larguar nga aty me shpejtësi. Ndërsa hetimet e bluve zbuluan një skenar për të mbuluar vrasjen dhe fshehur autorët e vërtetë. Në pranga fillimisht përfunduan pronari vilës, Bujar Kusi, Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Çaka.

Mbi ta rendon akuza e moskallëzimit të krimit dhe pengimi në zbulimin e së vërtetës. Këta persona kanë qenë prezent në momentin e plagosjes, por nuk kanë njoftuar policinë duke kanë tentuar t?i japin një tjetër rrjedhë ngjarjes së rëndë. Vëllezërit Kusi kanë ndërmjetësuar me një 27-vjeçar, të njohurin e tyre, që të merrte përgjegjësinë e krimit.

Ky person ishte në kërkim nga policia për një vepër tjetër penale, dhe sipas vëllezërve Kusi, një akuzë më shumë nuk do t?i kushtonte gjë. Por 27-vjeçari u ndalua nga policia dhe rrëfeu të gjithë skenarin. Vëllezërit Kusi janë emra të njohur për policinë.

Ata rezultojnë të kenë precedente të rënda kriminale. Albano Kusi ka qenë i arrestuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2010. Ai dyshohet se vrau kushëririn e tij Shkëlqim Nozlli për një borxh vetëm 650 Euro. Ndërsa Grisledo Kusi ka tentuar të vrasë një peron në vitin 2011.

Tv Klan