TIRANË- Një 26-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi u plagos me plumb në kokë nga një tjetër person teksa ishte duke rregulluar kondicionerin në një vilë tre katëshe që po rikonstruktohej, në rrugën "Muhamet Gjollesha" në Tiranë, në zonën e "Myslym Shyrit". Policia e Tiranës dha një informacion zyrtar, duke sqaruar se ngjarja ndodhi rreth orës 11:30, ndërsa është bërë i mundur edhe identifikimi i autorit, por për arsye hetimore policia jep vetëm inicialet, L.V banues në Tiranë.
Indrit Çelaj, nga Mallakastra, ishte duke punuar në vilën në rikonstruksion, së bashku me një punëtor tjetër, kur papritur një person ka ardhur me armë duke e qëlluar në kokë. Ata kanë pasur një konflikt të çastit mes tyre, dhe më pas L.V ka qëlluar me pistoletë duke e lënë të palgosur rëndë të riun, dhe më tej është larguar menjëherë nga vila. Ka qenë kolegu i tij që e ka çuar 26-vjeçarin në spital, nga ku mësohet se ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje kome. Ai nuk është në gjendje për të dhënë dëshmi, çka do të hidhte dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.