TIRANË- Kur kanë kaluar 5 muaj nga grabitja në Rinas, bëhet e ditur se janë gjetur një pjesë e parave të grabitura.
Burime ekskluzive për Report Tv bëjnë me dije për gazetarin Arsen Rusta se paratë e sekuestruar të disa prej të arrestuarave korrespondojnë me numrin e serive që bankat e nivelit të dytë do të transportonin jashtë vendin mesditën e 9 prillit. Ato janë në prerje 50 euro, duke bërë kështu që hetuesit të sigurojnë një provë të fortë që lidh të arrestuarit me grabitjen.
Referuar të njëjtave burime, mësohet se Prokuroria ka kërkuar ADN e të arrestuarve, për t'i krahasuar ato me gjurmët e gjetura në furgonin e pa djegur me mbishkrimin "Hetimi Tatimor". Por, të arrestuarit kanë refuzuar dhe do të jetë gjykata e Krimeve të Rënda e cila do të vendosë nëse do të lejojë që t'u bëhen analizat e ADN-ve 7 të arrestuarve.
Për grabitjen e ndodhur më 9 Prill në qeli ndodhen7 persona, i cilësuari si daja nga Kosova Ragio Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Cela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaci ndërsa i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë ditën e ngjarjes mbeti organizatori i grabitjes Admir Murataj. Në kërkim janë dy vëllezërit Klemend e Eldi Cala si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Cela për të cilët policia ka vënë në dispozicion shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo që jep informacion që çon në gjetjen e tyre.