Aksioni i anti-informalitetit ka liruar deri tani 54.400 m2 plazh në të gjithë vendin. Gjatë dy javëve të fundit, Policia e Shtetit ndërmori aksionin ?Plazhi i lirë?, për të liruar hapësirat publike të zaptuara në mënyrë të jashtëligjshme.
Operacioni ka vijuar në të gjithë bregdetin Shqiptar dhe deri tani janë liruar 54.400 m2 plazh, e ndërsa 86 persona, pjesa më e madhe e të cilëve pronarë të subjekteve janë proceduar në gjendje të lirë. Mes të proceduarve, për të cilët hetimet vijojnë nga prokuroritë e rretheve përkatëse, ka edhe zyrtarë bashkishë, për të cilët dyshohet se duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Rreth 5000 shezlonge e çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike janë sekuestruar. Kontrollet e policisë janë kryer në Durrës, Vlorë, Velipojë, Pogradec, Himarë, Kavajë, e në disa zona të tjera. Personat e proceduar nga policia akuzohen për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" e "Pushtimi i tokës".