TIRANË- Burime për Report Tv bëjnë me dije se Valdrin Pjetri i cili u tërhoq nga posti i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës për shkak të akuzave për një dënim të dhënë nga shteti italian ndaj tij për lëndë narkotike, nuk është paraqitur të japë shenjat e gishtërinjve në Prokurorinë e Përgjithshme edhe pse këta të fundit kanë lëshuar një kërkesë më datën 09.08.2019.
?Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore." thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Ndërkohë Pjetri pritet që të paraqitet në ditët në vijim pranë Institutit të Policisë Shkencore për të dhënë gjurmë. Shenja këto që do të bëjnë të mundur krahasimin me gjurmët në Itali nëse ai ka qenë i dënuar apo jo. Ndërkohë burime për Report TV bëjnë me dije se Pjetrit ka shkuar në Itali ndërkohë që ditën e sotme është kthyer/
Kërkesën për të marrë gjurmët e gishtërinjve e ka bërë publike vetë Prokuroria e Përgjithshme me anë të një përgjigje drejtuar Partisë Demokratike në kuadër të kërkesës që këta të fundit bënë për tu informuar mbi procedurat e verifikimit që ka nisur për Pjetrin dhe rezultatet e deri tanishme të këtij verifikimi. Sipas PD, organi i akuzës ka vepruar me vonesë, duke mos marrë parasysh dokumentet që ata kanë nxjerrë rreth 2 javë më parë. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar datat e verifikimit për Pjetrin. Ky i fundit u zgjodh si kryebashkiak i ri i Shkodrës me 30 qershor por pas akuzave të PD ai u tërhoq nga posti për t'u përballur me ligjin si qytetar.