Report TV - Privilegjet/ Ish-deputetët e PD-LSI 650 euro pagë mujore deri në 2022

2019-08-15 0

Ish-deputetëve të opozitës joparlamentare nuk do t?u mungojnë privilegjet edhe pas djegies së mandateve. Ish-deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët ?dogjën? mandatet në muajin mars të këtij viti, në kuadër të strategjisë politike për të rrëzuar qeverinë ?Rama 2? dhe për të ardhur në pushtet, do të paguhen nga buxheti i shtetit deri në mars të vitit 2022, pra deri një vit pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për tre vite me radhë, që nga muaji i djegies së mandatit deri në 2022, ish-deputetët e PD-LSI do të paguhen me 50 për qind të pagës referuese bruto. Paga mujore bruto e deputetit, sipas raporteve të fundit të shpenzimeve të Kuvendit, është 156,770, që do të thotë se ish-ligjvënësit e opozitës do të marrin çdo muaj, pa punuar, 78 385 lekë ose rreth 650 euro në muaj. Gjithashtu, menjëherë sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar heqjen e mandatit, ish-deputetët e PD-LSI kanë përfituar dy paga mujore. Konkretisht, secili deputet ka përfituar 313 440 lekë ose rreth 3 mijë USD. Për të gjitha këto përfitime, deputetët e opozitës janë njohur me anë të një shkrese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, disa javë pasi dogjën mandatet. Gjithashtu, ish-deputetët e Partisë Demokratike, por sidomos të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë pranuar dhe përfituar dieta, para për shpenzime për karburant dhe telefon edhe pasi braktisën Kuvendin dhe firmosën dorëzimin e mandatit të deputetit. Përfitimet e bazuara në ligj hedhin poshtë pretendimet e disa përfaqësuesve të PD-LSI se djegia e mandateve ishte edhe një akt sakrifice, për t?u bashkuar me qytetarët si të barabartë.