Report TV - Zjarri i madh në pyjet e Zapodit në Kukës

2019-08-14 0

Vendi ynë prej disa ditësh është përshirë nga një situatë anormale zjarresh. Së fundmi një zjarr masiv ka rënë në fshatin Boshanj të Ersekës, ku janë djegur 15 hektarë  dushqe dhe pisha. Zjarri është ndarë në 7 vatra dhe është krijuar vështirësi për të hyrë që të mundësohet shuarja e tij. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes por për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja e tyre është shumë e vështirë.

Po ashtu një vatër e madhe zjarri ka rënë mbrëmjen e së martës në Njësinë Administrative Zapod të Kukësit. Zjarri u shfaq mbi fshatin Orçikël të livadhet e Zapodit, një nga zonat e mbrojtura të Parkut Kombëtar Korab-Koritnik. Ndërkohë Bashkia e Kukësit ka angazhuar efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe banorët e zonës punuan për disa orë dhe bënë të mundur izolimin e zjarrit. Për shkak të terrenit mjaft të thyer malor, grupet e punës ecën në këmbë për disa orë, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit ishte i vështirë.

Si pasojë e temperaturave të larta ditëve të fundit në territorin e Bashkisë Kukës,ka patur edhe dy raste të tjera të rënies së zjarreve në pyje e kullota. Konkretisht në Njësinë Administrative Surroj. Zjarri ra në një zonë, ku automjeti zjarrfikës nuk mund të ndërhyjë. Ekspertët e Shërbimit Zjarrfikës, edhe pse zona ku kishte rënë zjarrit ishte tepër e vështirë ndërhynë për neutralizimin e flakëve dhe shuarjen e tyre.

Kujtojmë që ditët e fundit ka pasur shumë raste zjarresh, qoftë të qëllimshme apo dhe nga shkaqe natyrore nga temperatura e lartë. Ditën e djeshme ndodhi një rast tjetër në Ersekë në vendin e quajtur Antenat, ku banorët e kishin vendosur për të pastruar tokën, por u arrit shuarja e tij nga forcat zjarrfikëse. Po ashtu situata të rënda me zjarrin kanë patur rrethet e Gjirokastrës, Fierit, dhe Shkodrës.

Free Traffic Exchange