Arrestohet në Greqi Kristaq Leci, bashkëpunëtori i Mikel Shallarit që ekzekutoi ish-komisarin Artan Cuku në 8 Prill të 2017 në hyrje të pallatit ku banonte te rruga e 'Kosovarëve' te liqeni. Policia greke deklaron se 30-vjeçari shqiptar që ishte në kërkim është arrestuar pas akuzave që janë ngritur kundër tij për vrasjen e ish-komisarit Cuku. Por si ndodhi vrasja dhe kush është Leci?
Komisari Artan Cuku u vra nga Mikel Shallari, i cili rrëfeu të plotë të gjithë ngjarjen si dhe tregoi porositësit e vrasjes. Porositësi i vrasjes dhe që ka vëzhguar lëvizjen në terren ka qenë Bledar Jambelli, i arrestuar nga Artan Cuku në vitin 2012 në Vlorë si i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Amarildo Delaj, për të cilën, Jambelli u lirua dy vite më pas nga gjykata dhe madje mori edhe mbi 500 mijë lekë dëmshpërblim nga shtetit për ditët e burgut.
Bledar Jambelli kishte kontaktuar fillimisht me Kristaq Lecin (që u arrestua sot në Greqi), kushëriri i Mikel Shallarit, i cili kishte marrë përsipër që të kryente vrasjen kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh. Pasi kishte marrë përsipër që të kryente vrasjen, Leçi kontaktoi me Mikel Shallarin për ta ndihmuar në kryerjen e vrasjes. Plani i vrasjes kishte nisur të thurej që në dhjetor të 2016-ës dhe në 26 mars të 2017 kishte nisur zbatimi, fillimisht me survejimin e Artan Cukut në terren.
Atentati ndaj Artan Cuktu do të zbatohej në datën 7 prill 2017 kur në terren kishte shkuar Kristaq Leci, Mikel Shallari por edhe vetë Bledar Jambelli, i cili survejonte nga distanca dy autorët duke i komanduar me telefon dhe duke u dërguar mesazhe. Kristaq Leci dhe Bledar Jambelli 48 orë pas ngjarjes u larguan në Greqi pa kaluar nëpërmjet sistemit TIMS. E ndërsa Shallari u arrestua në Shqipëri dhe ndodhet në burg, ku tregoi edhe porositësin, Bledar Jambellin u kap në Greqi, por drejtësia e vendit fqinj ka bllokuar ekstradimin e tij.