Report TV - Anti-informaliteti/ Lirohen 6000 m2 plazh në Durrës, nën hetim 2 persona

2019-08-12 0

DURRËS- Policia ka vijuar aksionin anti-informalitet 'Plazhi i Lirë', ku këtë radhë në qytetin e Durrësit janë liruar rreth 6000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 1000 çadra e shezlongë. Në këtë operacion janë proceduar penalisht edhe 2 pronarë të subjekteve të bllokuara që akuzohen për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe "Pushtimi i tokës". Ata janë Gj.K., dhe B.Sh., pasi nga kontrolli i ushtruar në plazhin në Sektorin Rinia, u konstatua se kishin zënë me çadra plazhi hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse dhe të pa pajisur me kasë fiskale.

Ndërkohë njoftohet se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, por jo vetëm, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Kujtojmë se aksioni anti-infomralitet është shtrirë në të gjithë vendin ku deri më tani janë liruar mijëra metra katror plazhe publike që ishin zaptuar me çadra si dhe janë gjobitur e bllokuar biznese që kryenin evazion fiskal duke fshehur të ardhurat.