DELVINE-Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në fshatin Vllahat, ku një person është djegur brenda në makinë, ndërsa bashkëjetuesja e tij ka arritur që të shpëtojë, por ka pësuar djegie dhe ndodhet në spital. Viktima është Albert Caushi, ndërsa bashkëjetuesja e tij e plagosur është Merita Muja 44-vjeç.
Makina me të cilën çifti nga Fieri po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Delvinës ka marrë flakë në lëvizje rreth orës 20:40 pranë vendit të quajtur "Karahaxh". Kjo ka bërë që drejtuesi të humbte kontrollin duke dalë nga rruga dhe përfunduar në një kanal.
Burri nuk ka arritur që të dalë nga makina duke u djegur, pasi dera e "Renault Mégane"-it u bllokua në momentin që përfundoi në kanal dhe Caushi e patur të pamundur që të dalë, ndërsa gruaja ka dalë dhe është dërguar në spital nga kalimtarët dhe drejtuesit e tjerë të makinave që kanë konstatuar ngjarjen.
Report Tv sjell pamjet ekskluzive të makinës që u shkrumbua nga flakët. Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë impianti i gazit që ishte instaluar në makinën tip "Renault Mégane" që ka shpërthyer. Në vendin e ngjarjes shkuan dy zjarrfikëse nga Saranda dhe nga Delvina, por kur arritën makina ishte shkrumbuar bashkë me Albert Caushin brenda.