TIRANË- Administratori i 'Gega Oil' , Paulin Gega është shpallur në kërkim pasi akuzohet për pastrim parash dhe evazion fiskal në shuma të konsiderueshme.
Mësohet se pas kontrollit të bërë disa ditë më parë, në kuadër të aksionit kundër informalitetit, rezultoi se janë gjetur pompa në shkelje të ligjit, për këtë arsye është bllokuar tregtimi i karburantit nga kompania ?Gen Klaudis Sha?. Pas bllokimit, janë bërë hetimet nga ku ka rezultuar se Gega përmes ?Gen Klaudis Sha? që njihet me emrin tregtar ?Gega Oil?, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme, por nuk dihet saktësisht për çfarë shume bëhet fjalë.
Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për Gegën, por rezulton se ky i fundit është larguar ditën e djeshme nga Shqipëria.Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën të ditur se ka nisur edhe një hetim për dyshimet e dekonspirimit të operacionit për arrestimin e Paulin Gegës i cili rezulton se është larguar nga vendi pak orë para urdhër- arrestit ndaj tij. Megjithatë, në një reagim për mediat, Gega ka mohuar që të ketë shkelur ligjin, teksa tha se nuk i është shmangur drejtësisë, por ka ikur me pushime të cilat i kishte planifikuar kohë më parë. Ai ka mohuar akuzat se kompania e drejtuar prej tij nuk ka kryer evazion fiskal apo fshehje të të ardhurave, teksa theksoi se "Gega Oil" vijon aktivitetin pa ndërprerje në të gjithë vendin.
4 vite më parë ai ishte proceduar nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave. Aksioni anti-informalitetit është shtrirë në të gjithë vendit dhe në të gjitha sektorët, duke nisur që nga sektori i ndërtimit deri te hidrokarburet.