Lirohen 10500 m2 plazh në Shëngjin e Velipojë! Rama: Paaftësia e të djathtëve i ktheu në xhungla

2019-08-10 2

Aksioni anti-informalitet është shtrirë në bregdetin e Shëngjinit dhe Velipojës ku janë liruar 10500m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme, vihen nën hetim 9 persona mes tyre edhe drejtorë pranë bashkisë së Lezhës. Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili i quan plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës si dy nga xhunglat më të mëdha të krijuara nga rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronësisë dhe paaftësia kronike e bashkive të djathta.

"Plazhet e Shëngjin-Velipojës, janë mbase dy xhunglat më të mëdha, që ka krijuar rrumpalla e kahershme e dokumenteve të pronës dhe paaftësia e zullumhania kronike e bashkive të djathta. Çlirimi i tyre nga zaptuesit vazhdon përditë, por fundi pa kthim i lukunisë së zaptuesve, do të vijë me Ligjin e Ri për Vijën Bregdetare dhe dorën e hekurt që falë këtij ligji, shteti do të mund të vendosë nga viti që vjen, për t?ia kthyer përfundimisht plazhin Popullit", shkruan Rama teksa ka postuar foto nga aksioni i policisë.