Motrat shqiptare i sjellin në Kukës, italianët: Nuk prisnim të ishte kaq mahnitëse

2019-08-09 2

Veçoritë e zonës malore të Kukësit, veshjet tradicionale dhe ushqimet bio, shërbyen si atraksion turistik për dhjetëra italianë të cilët vizituan për herë të parë vendin tonë. Motrat Zhaneta dhe Erestina Muçmata, nga Shtiqni i Kukësit që jetojnë në shtetin fqinj, shërbyen si guide turistike për të promovuar turizmin malor.

"Kemi vendosur të vijmë në Shqipëri pasi shokët tonë na pyesin si është Shqipëria si është Shqipëria dhe prandaj vendosëm që të vijmë të gjithë bashkë që të shohim bukuritë e vendit. Ndërsa në Kukës kemi edhe njerëzit tanë të afërt.

Kemi vendosur të vijmë në Kukës sepse është vendlindja jonë edhe sepse duam që t'ju tregojmë shokëve tonë se Shqipëria nuk është vetëm plazh por ka edhe popull të fortë, kulturë të fortë. Nuk njihet ashtu sikur është" tha ata.

Destinacioni i parë turistik për fqinjët nga Italia ishte muzeu etnografik i Kukësit. Turistët vlerësuan veshjet e veçanta popullore dhe etnografinë e trevave veriore të vendit.

"Kemi ardhur në Shqipëri pasi kemi shoqe shqiptare dhe donim që të njihnim vendlindjen e tyre.

Është hera e parë që vij në Shqipëri. Këtu është shumë bukur.

Muzeu është shumë origjinal. Nuk prisja të tilla gjëra. Kemi parë rroba tipike të Shqipërisë dhe të Kukësit. Ishin mahnitëse" thanë turistët italianë.

Motrat Zhaneta dhe Erestina, bashkë me miqtë nga Italia thanë se do të jenë pjesë e festimeve të festës së Gjallicës. Një ceremoni pagane e zonës së Shtiqnit që kremtohet çdo vit në muajin Gusht.

Free Traffic Exchange