Valdrin Pjetri mohon akuzat

2019-08-09 0

Kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, mohon të jetë ndaluar nga policia italiane apo të jetë dëbuar nga shteti fqinj, sikundër edhe pretendon Partia Demokratike.
Në një prononcim për gazetarët, Pjetri foli për gjyq publik, teksa shtoi se fjala e fundit i takon prokurorisë.
"Është e vërtetë se gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve nga PD. Kam bërë një reagim timin të nesërmen e këtij lajmi ku kam thënë se jam mëse i hapur për çdo verifim të mundshëm. Gjëja është zyrtare, shkresa e subjektit partiak është në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokuroria është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji për të bërë verifikimet. Kjo më shumë ngjan me gjyq publik. Megjithatë dua të them se asgjë dhe askush nuk na ndal të shkojmë drejt bashkisë së Shkodrës dhe të fillojmë punën".
I pyetur nëse është e vërtetë se nuk ka udhëtuar për 10 vjet drejt Italisë, ai dha këtë përgjigje: "Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë. Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie".
Por Partia Demokratike pretendon të kundërtën. Ish-deputetja e Shkodrës, Izmira Ulqinaku, e cila publikoi të dhënat e sistemit TIMS, deklaroi se kryebashkiaku i zgjedhur Valdrin Pjetri nuk ka udhëtuar drejt Italisë nga viti 2002 deri në 2010-ën. Sipas saj, Pjetri ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.
"Në vend të gënjeshtrave, Valdrin Pjetri duhet t?i japë përgjigje këtyre pyetjeve:A je arrestuar dhe a je dënuar me 18 muaj burg në Itali, apo edhe ti nuk di gjë për këtë si Elvis Rroshi i Kavajës? A të kanë dëbuar nga Italia si person që përbën rrezik për sigurinë publike atje? A e njeh Altin Dodën dhe a ke qenë i përfshirë bashkë me të në trafik droge dhe vjedhje"?
Pas akuzave te Partisë Demokratike, sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimet për kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri.