Ndonëse opozita duket se tashmë e ka mbyllur ciklin e qëndresës dhe protestave, kryedemokrati Lulzim Basha bëri sot gjatë konferencës për shtyp një deklaratë ku duket se paralajmëron një cikël të ri protestash. Teksa komentoi lëvizjen e kryebashkiakëve të rinj të cilët kanë marrë detyrën përgjatë ditëve të fundit, Basha tha se tashmë askush nuk e pengon popullin që nesër të futet me dhunë në kryeministri.
"Në 30 qershor nuk ka pasur proces zgjedhor. Çdo hap është bërë në shpërdorim dhe prokuroria duhet të kishte nisur hetimet. Presidenti anuloi zgjedhjet. Çdo veprim qoftë me pasoja financiare si shpenzime për fushatë përbën vepër penale dhe duhet të hetohet. Por nuk ka demokraci nuk ka as drejtësi, as prokurori të pavarur. Precedenti i kapjes me dhunë të bashkive po e fut vendin në një situatë të rrezikshme. Zgjidhja e kësaj krize do vijë përmes normave europiane. Kush do ta pengojë popullin nesër të futet me dhunë në kryeministri dhe në çdo ministri. Kapja me dhunë e pushtetit vendor hedh në erë vendin", tha Basha.