Ademi nuk lëshon Bashkinë, Borchardt i shkon në zyrë/ Takim 'kokë më kokë' për dy orë

2019-08-07 0

SHKODËR-Ambasadori i OSBE-, Bernd Borchardt ka zhvilluar një takim me kryebashkiaken në ikje të Shkodrës, Voltana Ademi. Mësohet takimi 'kokë më kokë' ka zgjatur rreth dy orë dhe një nga çështjet kryesore që është diskutuar ka qenë pikërisht dorëzimi i detyrës nga ana e Ademit.

Në një kohë kur Bashkitë e tjera të vendit po konstituohen, Ademi ka bërë rezistencë të hapur, duke thënë se nuk do ta lirojë zyrën, madje ajo ka kërkuar një komision ndërkombëtar si në vitin 1913 për të liruar Shkodrën.

Në përfundim të takimit, Borchardt ka bërë një prononcim të shkurtër për mediat, duke thënë se është diskutuar për zgjedhjet e 30 qershorit dhe situatën politike në vend, në një kohë kur PD-ja ka njohur dekretin e presidentit Meta dhe kërkon zgjedhje në 13 tetor, edhe pse vetë nuk është regjistruar.

Lidhur me këtë takim, ka pasur një reagim zyrtar dhe nga ana e Bashkisë së Shkodrës.

"Gjatë takimit që zgjati rreth 2 orë, janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kerkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit. Në kuadër të projektit të bashkëpunimit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për një projekt të ri për mbështetjen e qëndrueshmërisë të administratës publike, Kryebashkiakja Ademi shprehu gatishmërinë personale dhe të administratës së Bashkisë se Shkodres për të qenë pjesë e këtij projekti me një rëndësi të veçantë, jo vetëm për administratën por edhe zhvillimin e qytetit të Shkodrës", shkruhet në njoftim.