Report TV - Meta: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet, ndryshe nuk ndëshkohen politikanët

2019-08-06 0

TIRANË- Ndonëse ishte dita e fundit për t'u regjistruar në zgjedhjet e 13 tetorit, presidenti Ilir Meta ka vijuar edhe sot thirrjet ndaj partive politike. Meta thotë se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje dhe pa zgjedhje nuk ka demokraci dhe as ndëshkim për politikanët. Kreu i shtetit thumbon partitë politike që nuk njohin zgjedhjet duke thënë se moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave.

"E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët.
Moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik.
18 tetori po afron!", shkruan Meta.