Report TV - Tiranë, shpërthim tritoli në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës

2019-08-05 1

KAMËZ- Mbrëmjen e djeshme i është vënë tritol banesës së nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës Vendim Demaj. Sipas policisë se tritoli ka shpërthyer në portën e jashtme të banesës. Report tv mëson se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 23:20 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa Demaj edhe familja e tij nuk ishin në shtëpi në momentin e shpërthimit pasi ndodhen me pushime.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Partia Demokratike e cila quan sulmin politik duke thënë se se prej kohësh bashkia e Kamzës është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur shpërthimin e tritolit një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të Ramës.

Deklaratë e Partisë Demokratike

Partia Demokratike dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës. Mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Fatmirësisht, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë.

Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët.

Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit. Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës.

Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë.