VLORË- Tre persona kanë mbetur të plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, të ndodhur rreth orës 19:45 të pasdites së sotme. Personat që kanë mbetur të plagosur kanë qenë të ulur në një lokal në zonën e plazhit, kur janë qëlluar me armë zjarri nga atentatorët.
Gazetari i Report tv Armand Xhelili raporton se të plagosur kanë mbetur Arben Brahimaj pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, djali i tij Brikelo Brahimaj dhe nipi i tij Olsi Beqiri. Dy autorët e identifikuar, me iniciale SH.L dhe E.XH janë konfliktuar fillimisht me fjalë me pronarin e lokalit, ndërsa më pas janë përdorur grushtet nga të dyja palët.
Pas konfliktit fizik dy autorët kanë shkuar tek makinat e tyre të parkuara jashtë lokalit nga ku kanë marrë një kallashnikov dhe një pistoletë me të cilat kanë qëlluar drejt Brahimajt, djalit dhe nipit të tij.
Një prej plumbave e ka kapur Arben Brahimajn në pjesën e kraharorit duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Aktualisht ai ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës, ndërkohë që dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa dy persona të dyshuar si autorë të kësaj ngjarjeje janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës. Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për kapjen e dy autorëve nga policia e Vlorës dhe FNSH-ja e Fierit.
Ngjarja e rëndë ka tronditur pushuesit e ndodhur në zonë, të cilët janë larguar më herët se zakonisht në drejtim të banesave të tyre. Ata thonë se kanë vrapuar të shtrihen në rërë për të mos i kapur plumbat