Report TV -4 anëtarët e PS së me pushime, dështon mbledhja e KQZ së për 13 Tetorin

2019-08-03 0

TIRANË-Dështon mbledhja e KQZ-së që u thirr sot në orën 10:00 pas kërkesës së aleatëve të Lulzim Bashës për të nisur procedurat për dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 13 Tetorit. Në mbledhje u paraqit vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Katër anëtarët e zgjedhur nga shumica parlamentare nuk ishin në mbledhje, ndërsa Zguri theksoi se n/kryetari dhe anëtarët kanë deklaruar se janë me leje. Për mungesë të kuorumit mbledhja dështoi.

"Pa kuorum mbledhja nuk mund të hapet. Ju kërkoj ndjesë, nëse do të kemi mbledhje tjetër është e papërcaktuar deri tani. Kolegët kanë deklaruar se janë me leje dhe nuk janë. Ju falenderoj, mbledhja nuk mund të hapet, nuk mund të ketë diskutime, pasi nuk plotësohet kuorumi" tha Zguri.

Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka akuzoi se mungesa është e qëllimtë dhe politike. Ai tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit."Në respekt të dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 Tetor dhe afatit në 2 gusht, LSI, PR dhe PAA paraqitën kërkesën për fillimin e procedurave. 30 qershori u shfuqizua si datë zgjedhjesh nga Presidenti. Vetëm Kushtetuesja mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë, politike.