Meta: Kushtetuesja s'mund ta legjitimojë 30 Qershorin, gati të lë zyrën, por të emërohet Mejdani

2019-08-01 0

TIRANE-Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se as Gjykata Kushtetuese nuk mund të zhbëjë vendimin e tij për anulimin e 30 Qershorit. Kreu i shtetit u shpreh se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta legjitimojë 30 Qershorin. Sipas tij, çdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.

"Askush nuk duhet të ketë iluzione se cdo vendim i Kushtetueses kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimitet 30 Qershorit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi. Cdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, janë akoma në fuqi dhe nuk e kthejnë më 30 Qershorin e këtij viti.

13 Tetori është e vetmja datë Kushtetuese për zgjedhje vendore në Shqipëri. Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë. Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të legjitimojë 30 Qershorin, pas e ka të pamundur, pasi dekreti ka qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur. Ajo mund të bëjë interpretimin si duhet apo mund të veprojë, dhe kjo ka efekt për të ardhmen" tha ai.

Ilir Meta deklaroi zyrtarisht se ka vendosur të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale nëse do të zhvillohen më 13 tetor. Ai tha se nëse Rama pranon që në 13 tetor të bëhen 3 palë zgjedhje, atëherë është gati që të dalë në fushatë, jo si president duke liruar zyrën, por këtu kishte një kusht duke propozuar që të ulet në karrigen e tij, ish-presidenti Mejdani deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Ai u bëri thirrje palëve që të ulen për të zgjidhur krizën sa më shpejt. Meta i kërkoi kryeministrit që të mos pengojë procesin e përgatitjeve për 13 Tetorin, ndërsa referuar kushtit të Bashës për pjesëmarrje në zgjedhje nëse do të largohet Rama, kreu i shtetit tha se nuk do të detyrojë asnjë parti të futet në procesin zgjedhor.