Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi dje të shkarkojë nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmanin, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Osmani është i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurori Osmani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, në 2 gusht të vitit 2018. Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik që të ankimonte vendimin për Osmanin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisioneri Publik, në 15 nëntor të 2018, i kërkoi Kolegjit të Apelimit, shkarkimin e Gentian Osmanit nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë.
Kolegji i Apelimit, pas shqyrtimit gjyqësor, vendosi të largonte Osmanin nga detyra. Po cila është pasuria e Gentian Osmanit që i kushtoi shkarkimin nga detyra si anëtar i KLP? Nga verifikimet e kryera nga Shqiptarja.com rezulton se, sipas Komisionerit Publik dhe Kolegjit të Apelimit, Gentian Osmanin nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare të ligjshme për të blerë një apartament banimi me sipërfaqe 96 m2. Apartamentin e ka blerë në janar të vitit 2017 me vlerë 82 mijë euro. Është pikërisht ky apartament, i cili ka kushtuar Gentian Osmanit largimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.