TIRANË-Ish kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi ka qenë i ashpër ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se qëllimi i tij final është pikërisht shkatërrimi i kësaj force politike dhe se 30 qershori e "vulosi" këtë fund të hidhur. I ftuar në studion e Report Tv, Elezi tha Basha po bën "show" për të justifikuar vendimet e tij të gabuara, që nga djegia e mandateve pa një strategji të mëparshme se si do rrëzohej qeveria e deri te bojkoti i zgjedhjeve lokale. Elezi, i njohur si një ndër zërat kritik të kryedemokratit, tha se është absurde të dëgjosh Bashën duke i kërkuar Ramës zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur nuk organizon dot zgjedhje të lira brenda partisë.
"30 qershori katastrofë për PD. E dija që në fillim, mungesa e forcës për të transformuar PD brenda, mbështetur nga doktori, e dija që do lëvizte në mënyrë kaotike. Ajo që u ndërtua në Kuvendin e fundit të PD-së u ndërtua një parti pa rregulla dhe norma, duke vazhduar gafat e mëparshme. Basha i bën me qëllim këto gabime. Tallja më e madhe me PD-në. Basha ka qëllim që të fundosë PD. Kur dorëzon mandatet, ke dy javë për të rrëzuar qeverinë, kur nuk e bën dot ik në shtëpi. 10 protestat, gafë e madhe. Kuksianët nuk do ia falin, jo vetëm Bashës, por kujtdo që i ka futur hundët në shkatërrimin e PD-së, është një kastë. Kjo gjë ka ndodh në PD do ketë një analizë, del tani Basha, lufton Ramën për gjërat që i vuan vetë. Flet për zgjedhje të lira, kur nuk i organizon dot vetë në partinë e tij. Praktika që Basha po bën në PD, është shumë e vështirë që të jesh i besueshëm për të sulmuar Ramën. Nuk ka një strategji Basha. Ai po bën show që "ja bëmë përpjekjet tona, por faji është i Edi Ramës". Kur u thua duhet të dorëzoni mandatet, por duhet të keni planin se si duhet rrëzuar kjo qeveri", tha Elezi.
Ndërkohë, duke u ndalur tek zërat. se do të ketë përplasje mes qytetarëve gjatë konstituimit të Këshillit Bashkiak në Kukës, Elezi tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
"Mund të ketë situata, por konflikte të vogla, pasi nuk e kanë mbështetjen politike se nuk janë ushtarët kur gjenerali nuk u thotë dot se çfarë të bëjnë", tha në Report Tv, Elezi.