Haradinaj kthehet ne Kosove

2019-07-25 9

Sot pritet të arrijë në Prishtinë kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj. Ai dje ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndërkohë presidenti nuk ka bërë asnjë hap pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i Kryeministrit.

Nesër bëhen një javë që kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i Kryeministrit, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale për t'u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Ndonëse Haradinaj ka kryer obligimin e tij dje në Hagë dhe sot pritet të kthehet në Kosovë, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret për krijimin e një qeverie teknike apo shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Presidenti nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultim derisa këto të fundit janë deklaruar kundër një qeverie teknike dhe për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sido që të jetë, Haradinaj pas kthimit nga Haga ka thënë se do t'i kthehet jetës politike. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që të garojë sërish për postin e kryeministrit në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërsa në Hagë, ai ka zgjedhur heshtjen për t'u mbrojtur. Nuk dihet ende nëse do të ketë aktakuzë për të në të ardhmen nga Specialja.

Tv Klan

Free Traffic Exchange