Report TV Ekskluzive/ Kuvendi i hap rrugë SPAK-ut për arrestimin e deputetëve

2019-07-25 1

Kuvendi i Shqipërisë ka ndryshuar nenin 118 të rregullores, duke i hapur rrugë Prokurorisë së Posaçme të kërkojë nga Parlamenti autorizimin për arrestimin, kontrollin personal ose të banesës të deputetëve. Vendimi është miratuar në seancën e datës 19 korrik 2019, të fundit për këtë sesion parlamentar, me 106 vota pro. Vendimi i zbardhur nga Shqiptarja.com ndryshon 75 nene të Rregullores së Kuvendit, duke përfshirë edhe nenin 118.

Ky nen parashikonte që kërkesa drejtuar Kuvendit për arrestimin, kontrollin personal ose të banesës të deputetëve, paraqitej vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm. Ndërkaq, me miratimin e reformës në drejtësi, kjo kompetencë i kalon SPAK-ut. Në këtë kuadër, varianti i ri i miratuar nga Kuvendi parashikon që kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori, duke hequr specifikimin ?Prokurori i Përgjithshëm?.

Në një relacion shpjegues të Komisionit të Ligjeve, theksohet se deri në krijimin e Prokurorisë së Posaçme, kërkesa paraqitet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kompetencë të të cilës kanë kaluar vepra penale të korrupsionit dhe zyrtarët e lartë. Me ngritjen e SPAK-ut, kërkesa për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme do të paraqitet nga Prokuroria e Posaçme. Ndërkaq, varianti i parë i propozuar nga Taulant Balla në janar të vitit 2018 parashikonte që prokuroria duhet ta shoqëronte me prova kërkesën për arrestimin e deputetit. Ky propozim ka rënë.

Varianti i propozuar nga Komisioni i Ligjeve dhe i miratuar nga Kuvendi parashikon lënien në fuqi të versionit të vjetër, sipas të cilit prokurori duhet t?i paraqesë kryetarit të Kuvendit kërkesën dhe dokumentet shoqëruese. Pra, është hequr fjala ?prova?. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me shkurtimin e kohës, brenda të cilës Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi të deputetit. Në Rregulloren në fuqi ishte brenda katër javëve, në variantin e miratuar është caktuar një afat prej dy javëve.