Report TV -FSHF nxjerr në shitje emrin e stadiumit të ri: Presim oferta mbi 3 mln euro

2019-07-22 1

Stadium i ri që po ndërtohet në qendër të Tiranës nuk do të quhet ?Arena Kombëtare?. Kjo pasi FSHF ka lajmëruar ditën e sotme se ka nxjerrë në shitje emrin e stadiumit që pritet të jetë i përfunduar në shtator të këtij vitit. Me anë të një deklarate për shtyp FSHF saktëson se është në kërkim të një sponsori i cili do të ketë të drejtë t?i vendosë emrin stadiumit, ndërkohë që ky nuk pritet të jetë përfitimi i vetëm.

FSHF ka bërë të dituara edhe kriteret që kompania duhet të ketë për të hyrë në ankand. Sipas federatës kompania duhet të ketë të paktën 10 mln euro xhiro në vit, të jetë një kompani që operon brenda ose jashtë vendit si dhe të ketë një reputacion të mirë. Shitja e emrit të stadiumit do të bëhet për të paktën 5 vite dhe do fillojë nga një çmim dysheme prej 600 mijë eurosh në vit.

Çdo kampani apo subjekt i interesuar sipas FSHF-së duhet të paraqesë ofertën deri më datë 15 gusht të këtij viti. Në të duhet të parashtrohet deklarimi i kompanisë së interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë, si dhe një CV e saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.

Tema e emrit të stadiumit të ri është prekur edhe më herët, ndërsa një nga idetë ka qenë që ai të quhej Panajot Pano. Gjithsesi FSHF ka një qasje tjetër për këtë çështje pasi emrin kërkon ta komercializojë në mënyrë që të sjellë të ardhura. Një praktikë e cila njihet edhe në Europë, ku klube me emër si Bayern Mynchen apo Juventus e kanë praktikuar.